| Vreshtaria, “Hirushja” e bujqësisë sonë |
|
|
|
| PRODHIME VENDASE | |
| Written by * Dodë Pepkolaj | |
| Saturday, 19 June 2010 20:57 | |
|
Sipas Strabonit, gjeograf i lashtë grek, shek. I-rë para Krishtit, midis të tjerave thuhet “Ilirët eksportonin në Romë verë, që e mbajnë në enë druri, peshk të krypur, vaj ulliri…”. E çuditshme!...Sot, pas 21 shekujsh, paralelja moderne rezulton sipas EDEM (projekti për nxitjen e eksporteve), institucion europian, që studion politikat ekonomike në vendin tonë, konkludon: “Kanë avantazhe konkuruese këto produkte: vezët, vera, vaj i ullirit, mielli”. Shkurt, ky vlerësim zbulon dhe sjell në dukje vetëm përparësitë, që i shoqërojnë vreshtat. Disa nga këto janë -Futen shpejt në prodhim (viti i dytë dhe i tretë). -Kërkojnë shpenzime të pakta për njësi sipërfaqeje, krahasuar me bimët e arave apo perimeve 2/3 herë e më pak. -Jep rendimente të larta 4-6 ton/dynym, dhe më shumë kur zbatohet teknologjia e lartë ose deri 10-15 fishin më tepër se drithërat. -Është lehtësisht e konservueshme (vera, rakia, dhe n/produktet e tjera me bazë rrushin) ruajnë vlerat organo-leptike, ose i përmirësojnë ato për disa vite dhe së fundi këto nuk kërkojnë enë voluminoze për ruajtje. -Ka treg të sigurtë brenda dhe jashtë vendit, me norma të larta fitimi. Djegia e rrushit S’ka cilësim më të goditur sesa emërtimi “djegie të rrushit” (bërsive) për aktin e distilimit të rakisë. Zor ta gjesh se kush e “shpiku” i pari këtë praktikë diskredituese të përpunimit të rrushit. Të gjithë e dijnë se çfarë shkakton djegia. Ajo kthen në hi atë që natyra me mund, dhe vetëm ajo, din ta bëjë si të gjallë, si organike, atë jo të gjallën, pra, inorganiken. Kjo është ajo që sot e më tej mban misterin e jetës. Hiri është 3% e çdo qenie organike dhe çfarë?!...Vetëm e vetëm elementë mineralë, e ndërsa 97 %-shi tjetër shkatërrohet. Po rakia, do të thotë dikush, nuk është hi?! Po sqarohemi. Nëse çdo kg rrush ka 800 k/kalori, 1 liër musht ka 900 k/kalori, përmban nga 15-32 % sheqer (glykozë), acide tartrik, malik, kripëra të fosforit, hekurit, kalçiumit, bakrit, kaliumit, zingut, squfurit, bromit, enzima, vitamina A, B1,B2,B6, C dhe P, etj. Kurat e rrushit përdoren për shërimin e sëmundjeve të stomakut, ato nervore, të organeve të frymëmarrjes, lehtëson funksionimin e veshkave, kuron artritin, uricemine etj. Madje edhe farat janë lëndë e parë për prodhimin e artikujve kozmetikë. Jo më kot Franca dhe disa vende perendimore ngrejnë infrastrukturat e nevojshme për kryerjen e kurave të rrushit. Shumë nga këto cilësi të rrushit “i trashëgon” si një “bijë e mirë” edhe vera, por kjo nuk mund të thuhet aspak për rakinë. Çfarë mbetet nga djegia e rrushit në raki?!... Vetëm e vetëm alkoli etilik, që ka ardhur nga fermentimi i glykozës, atij sheqeri krejtësisht të asimilueshëm, që shumëkush e ka marrë edhe si serum shëndetësor. Pak, fare pak, poshtë 1% sheqer. Ky pra, është “hiri”. Është kuptimthënës ekuivalentja e fjalës raki në italisht (aquavite), që do të thotë “uji i hardhisë”. Po ndikimi që jep në organizëm?! Këtë e dinë të gjithë, sigurisht, me kujdes!... A është e kostueshme ngritja e një vreshti? Gjithë-gjithë shpenzimet e ngritjes së tij nuk i kalon të 2 million lekët (të vjetra sigurisht) për një dynym, ose sa ½ e shpenzimeve të një banjoje familjare, ose shumë më pak se vlefta e një autoveture, që vetëm shpenzon dhe nuk “lind” ndonjë gjë. Pra, shkurt vreshtaria është tepër e leverdisëshme për bisnesmenin, vreshtarin, tregtarin, ku përveç financimeve kërkohet vullnet, dijeni, punë pasionante, këshillim me specialistë, marketing, dhe të tjerat mësohen gjatë rrugës, veprimarisë ekonomike. Edhe përvoja e fshatit Bukmirë vjen në të mirë të idesë të këtij shkrimi, ashtu si dhe në shumë minivreshta që janë hapur gjithandej në ferma private të vogla. Tendenca e zhvillimit të sotëm bujqësor në rrethe të tjera, këtë thotë. Ne nuk duhet të rrijmë në vend, pasi gjendemi në një pozicion të lakmuar për vreshtari e të tjera prodhime bujqësore dhe frutore. * Dodë Pepkolaj Specialist agronom |