Home ANTIRRYME Reklama më e mirë për një zonë malore apo detare janë vetë banorët

ORA

Ju jeni vizitori i

ipcount.net Kostenloser Besucherzähler

MARJANNE GRAFF

LIDHJE

Kjo webfaqe u ideua nga Gjergj Marku

 

Reklama më e mirë për një zonë malore apo detare janë vetë banorët PDF Print E-mail
ANTIRRYME
Written by Mirdita Turistike   
Tuesday, 22 June 2010 20:22

- Interviste me z.Alba Malltezi, kryeredaktore e News 24 -

(Z.Alba Malltezi, kryeredaktore e Tv te njohur NEWS 24 që nga themelimi i tij, në një bisedë eksluzive për Mirdita Turistike, flet per rolin e medias ne Shqiperi,ecurinë,zhvillimin dhe problemet e saj,raportet me pushtetet e tjera, ecuritë pozitive të saj këto dy dekada demokracie por dhe diferencat me mediat e vendeve të zhvilluara.

Ajo që bie në sy është epja e saj për të qenë e thjeshtë dhe e drejtpërdejtë në këndvështrimin e situatës në të cilën ndodhet media shqiptare sot, por dhe formulimin aksiomatik se “Lajmi ka formulën e tij pa nacionalitet”.

Pos trajtesës së këtij problemi aq të ndjeshëm në publikun shqiptar,ajo flet edhe për krahinën e Mirditës,si ajo përcillet në median që drejton, por dhe faktin tjetër që lidhet me ofertën turistike të këtij rajoni, duke konkluduar se “Reklama më e mirë për një zonë malore apo detare janë vetë banorët”

Alba Malltezi është diplomuar ne gjuhe e letersi italiane. Nis karrieren si gazetare kulture ne Gazeten Shqiptare, me pas zv/kryeredaktore e saj, Kryeredaktore e Balkanweb ne themelimin e tij, Radio RASH e me pas kryeredaktore ne NEWS 24. Pasioni dhe hobby jane artet figurative, interesi aktual kultura budiste me mesazhet e jashtezakonshme te bashkejeteses paqesore dhe meditimet per njohjen e vetes”)

Përshëndetje z. Malltezi! Më saktë me ketë mbiemër apo atë italjan të gazetarit dhe drejtuesit të njohur të mediave këtu dhe Itali, Carlo Bollino?

Përshëndetje Gjergj! Në fakt në traditën shqiptare gruaja kur martohet merr mbiemrin e burrit, dikur ishte automatike kjo gjë, ndërsa sot mund të zgjedhësh. Unë mendoj se është mirë të ruajmë identitetin tonë ashtu si kur lindim, me mbiemrin e prindërve. Më ndodh që shumë shoqe të fëmijërisë të mos i identifikoj shpejt, sidomos në internet, ngaqë kanë mbiemrin e bashkëshortëve. Propozoj që kush e ka me merak të marrë dhe mbiemrin e bashkëshortit le t’i mbajë të dy: të fëmijërisë dhe të riun. Unë jam Alba Malltezi, me gjithë dashurinë, fatin që kam të jem bashkëshorte e Carlo Bollinos.

Pa u shkëputur nga pjesa “kureshtare”, cdo të thotë për ju si shqiptare, bashkëshortësia me një gazetar të njohur italjan?

Do të thotë në radhë të parë bashkimi i dy njerëzve të mirë, punëtorë, pa paragjykime për çështje kombësie, ngjyre, kulture dhe me kuriozitetin, dëshirën, tolerancën për të ndërtuar një familje bashkë; për t’u njohur në vazhdimësi e sidomos për të respektuar zakonet tona të ndryshme. Prej dy vjet e gjysëm kemi dhe një vajzë të mrekullueshme italo-shqiptare që flet bukur shqip e italisht e që ka nisur të ndihmojë me italishten gjyshi Vonin e nëna Dilen. Carlo është italian, por jo në pak raste e kam parë më të impenjuar se ne shqiptarët për problemet e Shqipërisë.

Ju jeni drejtuese e një prej mediave kryesore shqiptare, si e mendoni evolimin e medias në përgjithësi në Shqipëri dhe a po e ushtron vërtetë atë që thuhet rëndom “pushtetin e katërt”?

Me gjithë pretendimet që të gjithë kemi për t’u përmirësuar, them se media në Shqipëri po zhvillohet e po bën mirë detyrën që ka për të informuar publikun. Shumllojshmëria në treg bën që në mos nga njëra medie, nga tjetra, lajmi të mësohet dhe ky është qëllimi kryesor. Çalon ende në çështje të investigimit, por dhe këtu kemi shembuj të mirë. Nuk i kemi fituar të gjitha betejat, por për shembull atë të Marrëveshjes së kufijve detarë me Greqinë media e zbuloi, denoncoi, sensibilizoi strukturat, e fituam. Nuk duhet të lodhemi e të ulim vigjëlencën, pasi jemi një vend kaq i bukur, por me probleme të pafundme dhe sidomos jo me shumë dëshirë për të dëgjuar dhe bashkëpunuar me kundërshtarët. Media ka shumë për të bërë për Shqipërinë dhe nëse jemi ku jemi sot, është dhe rezultat i punës që ka bërë dhe nuk ka bërë edhe media.

Vihet re se media që ju drejtoni, vecmas ajo vizive, është e përparësuar në lajmin e shpejtë, mund të themi se është modeli italjan që Bolino “importoi” nga Italia apo ka një dimension mirëfilli shqiptar?

Televizioni NEWS 24 ka një model që është formatuar prej disa kohësh në Angli me BBC, në Itali me Raineës24, në Francë, në SHBA me formate televizionesh vetem me lajme. Një televizion, megjithatë, nuk e bën formati, por vërtetësia e lajmit, serioziteti dhe profesionalizmi për ta përcjellë atë. Lajmi besoj se ka formulën e tij pa nacionalitet. Për për këtë shfrytëzuam sinergjitë me Gazetën Shqiptare dhe Balkaweb.

A mendoni se sot në median shqiptare është i tepruar fakti i dhënies përparësi të “kronikës së zezë”,duke qëmtuar deri dhe detajet që po krijojnë idenë e një vendi që gëlon nga krimi?

Kronika e zezë ndiqet në çdo vend, nuk mund të shmanget një ngjarje, nuk mund të fshihet, se ndryshe kthehemi në totalitarizëm, kur Enver Hoxha ndalonte të jepeshin “lajmet e këqia” që mund të prishnin imazhin e Shqipërisë. Por si çdo gjë në jetë, edhe në dhënien e një lajmi, duhet etikë dhe respekt, sidomos për viktimat e për njërëzit e brishtë. Edhe gazetari nuk i shpëton defekteve, ndaj ka gazetarë të mirë, shumë të mirë, e gazetarë të këqinj. Më qëllon të lexoj e dëgjoj lajme të kronikës së zezë të shkruar në mënyrë të turpshme, me detaje që cënojnë privatësinë dhe dinjitetin e njerëzve. Duhet një kujdes i jashtëzakonshëm, ndaj puna jonë për të korrigjuar këto probleme ka qenë dhe do të jetë prioritet.

Në raport me mediat e tjera,në këndvështrimin tuaj, sa mund të themi se media në Shqipëri punon “pa pranga”?

Shumë gazetarë “prangat” duhet t’i heqin nga mentaliteti që kanë dhe autocensura që shpesh më habit, por probleme dhe tentativa të vazhdueshme për “mbyllje goje” ka. Janë politike, por sidomos, vitet e fundit, ekonomike. E vetmja rrugë shpëtimi është një pavarësi ekonomike e medias, që do të thotë: mbulim shpenzimesh nga shitja e gazetave dhe reklamat transparente, që do të thotë seriozitet, profesionalizëm, vërtetësi. Çdo investim tjetër që hyn në një media ka koston e drejtëpërdrejtë në “prangosjen” e të drejtës së dhënies së lajmit. Derisa në Shqipëri nuk ka një transparencë bilancesh të mediave, siç bëhet në vende të tjera, “prangat” ndryshojnë material e madhësi, por do të mbeten “pranga”. Në median ku punoj jam e sigurtë deri tani për një ndershmëri e transparencë profesionale dhe ekonomike.

Kemi vënë re të paktën nga udhërpërshkruesit e huaj ndër mote, të ndarë në dy pjesë; njëra që jep realitetin gri të vendit tonë,dhe tjetra që yshtet nga pozitivitetet,doket,zakonet,mikpritja e të tjera anë shumë pozitive të shqiptarëve. Po nga raportuesit e huaj të sotëm si e gjykoni këtë raport?

Romantikët, antropologët, udhëtarët, do të gjejnë gjithmonë në Shqipëri një vend të mrekullueshëm me njerëz të mirë e natyrë magjepëse. Unë jam e bindur se ne shqiptarët e sotëm nuk jemi koshientë për fatin që kemi dhe pasuritë e një vendi në 28 mijë km katrorë: Nga malet e larta, lumenjtë, plazhet, kodrat. Nuk them unë një gjë të re, mjafton të lexojmë Rilindasit dhe të reflektojmë. Nga ana tjetër, duke udhëtuar jashtë, habitem se sa përshtypje të keqe bashkëkohësit e huaj kanë për ne. Më qëllon në avion, në tren, në një bisedë të shkurtër në bibliotekë, të dëgjoj gjoja lëvdatën: po nuk dukesh si shqiptare! Si të na dinë me bisht apo si. Më qëlloi në një takim gazetarësh të huaj, të shprehen shumë keq për ne, por aty, duke dëgjuar mësova diçka: Flasin njerëz që nuk na njohin dhe me mllefin e tyre flet padituria ose paragjykimet e krijuara. Duhet të kemi kujdes sepse jemi në një fazë delikate integrimi dhe të huajt, perëndimi, nuk janë në kohën e tyre më të mirë. Janë në zbritje zhvillimi dhe rinia jonë, vrulli, dëshira për të jetuar e për t’u zhvilluar i tremb. Ndaj ne jemi në mendjen e plakur të tyre ata të trafikimit, ata të anijeve të mbushura me klandestinë të uritur. Në fakt nuk është kështu: shqiptarët kudo ndodhen janë integruar shumë mirë dhe konkurrojnë denjësisht në shumë fusha krah të huajve.

Do doja dicka më specifike, lidhur me bashëkshortin tuaj si njohës i mirë i realitetit shqiptar,përgjithësisht cila është porosia e tij për këtë anë dhe sidomos për pozicionet redaksionale?

Carlo sot drejton “La Gazzetta del Mezzogiorno”, është shumë më i ekuilibruar se të gjithë ne për çështjen shqiptare dhe në të gjitha rastet që i jepen me kolegë të nacionaliteteve të ndryshme, gjen mënyrën t’i bindë, kur shprehen keq për shqiptarët, se kanë informacione të gabuara apo të vjetra për Shqipërinë e shqiptarët. E adhuroj për këtë ndershmëri dhe papërtim për të dëshmuar e folur në çdo rast në favor të shqiptarëve.

A mendoni se ende nuk kemi një rregullator të medias, qoftë dhe një ligj,ku të balancojë të drejtat dhe detyrimet karshi qytetarëve të shtypit shqiptar?

Edhe media është pasqyrë besnike e realitetit shqiptar me të metat dhe vlerat e padiskutueshme. Ligji për median është më i miri që mund të ekzistojë: Media është e lirë! Pastaj për mashtruesit, të pandershmit, hileqarët që “popullojnë” redaksitë e gazetave e televizioneve, shërbejnë të tjera ligje si për çdo qytetar të thjeshtë.

Në lidhje më shtypin investigativ dhe gazetarin e mirëfilltë të këtij sensi, cila është përshtypja juaj,kemi apo na mungon?

E kam shprehur sa herë më është dhënë mundësia që ne kemi elementë shumë të mirë investigimi, sidomos Gazeta Shqiptare dhe News 24 e ka këtë traditë. Kemi pak gazetarë të tillë, pasi investigimi kërkon talent, pasion, papërtim. Gazetarët shqiptarë kanë një moshë mesatare relativisht të re: nëse në një redaksi në Itali apo Francë sheh gazetarë me një mosh mesatare 45-50 vjec, redaksitë tona janë plot me 25-30 vjeçarë. Nuk shoh shumë pasion te më të rinjtë për investigimin, shpresoj që shpejt të më përgënjeshtrojë ndonjë dhe të thotë të kundërtën për këtë, nga cilado redaksi.

Mendoni se shtypi shqiptar e tepron më shkeljen e privatësisë së njerëzve publik,apo është e kundërta, njerezit publik, janë të dhunshëm në qëndrimet ndaj tij?

Sa i takon politikanëve, administratorëve, shtypi duhet të bëjë punën e tij për zbulimin edhe të shkeljeve etike dhe morale të personave të zgjedhur me votën e njerëzve. Bashkë me mandatin e deputetit, apo të administratorit publik, merret dhe “e drejta” e vëzhgimit nga ana e medias e sjelljes në privat dhe publik e personave që marrin rrogën nga taksat e njerëzve. Precedenti “Pango”, ku një gjykatës dënon një media pse “shkeli privatësinë” e një ministri, është i rrezikshëm dhe duhet dënuar njëzëri nga të gjithë gazetarët. Ky vendim godet jo vetëm median, por step dhe të drejtën e denoncimit të viktimave. Çështja Bendo-Pango godet seriozisht lirinë e informimit duke veshur me imunitet të tepërt pushtetarët.

Sa i perkët botuesve, sipërmarrësve, cili është mendimi juaj,e kanë dëmtuar median përgjithësisht apo i kanë dhënë shtysa pozitive me investimet e tyre në fushën e medias?

Kanë konkurruar në një treg pa rregulla, por kanë konkurruar. Herë mirë e herë keq, herë shërbëtorë e herë padronë, herë investitorë e herë gjobëvënës. Tregu dhe lexuesi janë gjykatësit më të mirë. Mendoj së tashmë disa gazeta e TV kanë fituar vendin e merituar.

-Flitet se aksh media është blerë nga kryeministri apo kjo tjetra, nga kreu i opzotivës apo politikanë të tjerë,kanë të vërtetën brenda,apo janë llafe të një një mjedisi të ndotur nga thashethemnajet?

Flirtimet e mediave me pushtetin njihen kudo dhe për hir te së vërtetës bëhen transparente pasi ku më mirë se në media shkruhen e zezë mbi të bardhë apo dokumentohen me pamje e editoriale. Une nisem nga një parim i thjeshtë: një media me çfarëdo biznesi tjetër që ka pronari i saj, është automatikisht më e brishtë. Një Qeveri i ka të gjitha mjetet të bëjë presion, duke penguar biznesin e rrjedhimisht, median.

-Nëse janë të vërteta këto që politika sa majtas apo djathtas, blenë median, a mendoni se duhet të ketë një lëvizje të fortë të gazetarëve të pavaurur,apo duhet të vazhdojnë të jenë “skllevër” të përcimit të politikave partiake?

Nëse politika blen, do të thotë se ka një mall që shitet. Lëvizjet e forta lindin kur ka nevoja të brendshme për to, jo me planifikim. Në Shqipëri ka gazetarë të pavarur, gazetarë të lirë, por edhe nëse kjo mungon, sot, përmes internetit, gjithkush mund të hapë median e tij personale dhe ta thotë fort atë që mendon. Mjafton dhe një adresë në facebook për ta bërë këtë. Shpesh kontrolloj disa faqe ëeb të hapura nga të rinj pa parti, pa biznes dhe të lirë, ku thonë atë që mendojnë, por shoh që nuk dokumentojnë asgjë, thjeshtë bëjnë “muhabete kafenesh” dhe klikimet e këtyre faqeve janë minimale, nuk tërheqin dhe nuk prodhojnë debat real. Ne nuk do të pranojmë të jemi më “skllevër” kur të kuptojmë plotësisht e të shijojmë në gjithë magjinë e saj Lirinë. Deri tani, në këtë tranzicion të gjatë, vetëm po njihemi me të.

-Duke ardhur nga Mirdita, sa është prezent kjo krahinë në mediat që ju drejtoni?

Kemi patur tradicionalisht gazetarë të mirë nga kjo zonë dhe nuk ka munguar asnjëherë si pasqyrimi i problemeve të shtresave në nevojë, por dhe i bukurive të zonës. Nuk kam për ta harruar një udhëtim në luginën e Fanit, më sipër në Orosh. Edhe tani që shkruaj më vijnë para syve ato bukuri, sidomos kullat prej guri, të cilat kanë një potencial turistik të jashtëzakonshëm.

Sa njohje keni për këtë krahinë dhe a mendoni se mund të bëhet më shumë për promocionin e këtyre trevave Veriore?

Nuk duhet shumë punë, pasi natyra ka bërë të vetën. Mendoj se mirditorët duhet të hapin shtëpitë dhe zemrat. Po jap një shembull të thjeshtë. Përvit shkoj bashkë me Carlon, tani dhe me vajzën në Valle D’Aosta, në veri të Italisë. Si është i zhvilluar aty turizmi malor? Strehimi bëhet në një hotel, por familjet preferojnë apartamentet, pastaj gjatë ditës bëhen ecje nëpër male, mes shtigjeve me ndalime nëpër stane. Në stane, pronarët ofrojnë mish e salcice të zonës me kaçamak, kërpudha, ndonjë gotë kos apo qumësht të freskët. Duhet një kënd i thjeshtë me një rrëshkitëse e lisharës për fëmijë, dele dhe lopë për të kënaqur të vegjël e të mëdhenj. Mirditorët duhet të rifreskojnë kullat e gurit, t’i gëlqerosin, të rregullojnë dhomën e miqve e ta japin me qera. Fëmijët mund t’i ndihmojnë për të reklamuar kullën në internet, për të bërë të njohur mikëpritjen, pastërtinë dhe ushqimet që ofrohen. Mirdita është shumë afër Tiranës, Durrësit, mund të shfrytëzohej fare mirë turizmi si në fundjavë ashtu dhe ai 15 ditor. Infrastruktura është. A janë gati mirditorët të hapin kullat dhe zemrën?

- Nga pikpamja turistike,meqë jemi në një web turistik të Mirditës, cili mund të ishte kontributi i mediave që drejtoni për ta paraqitur dhe “Shqipërinë tjetër”, larg metropolit për lexuesit dhe shikuesit e shumtë shqiptarë apo të huaj?

Mos harrojmë një gjë. Nëse një vizitor pritet mirë, ha mirë, shplodhet, ai do të kthehet përsëri. Reklama më e mirë për një zonë malore apo detare janë vetë banorët. Nëse unë lexoj në internet se Gjergji ka një kullë në Luginën e Fanit ku në fundjavë ofron mish të pjekur në hell, kos të dhive, byrek e kaçamak të zonës, pastaj na udhëheq mes maleve në një shteg unë nisem e vij. Por nëse mbetem e zhgënjyer nga pastërtia, ku në vend të kosit të dhive ha kos supermarketi, nuk kthehem më. Puna e ndershmëria është në bazë të çdo suksesi dhe tani ka shumë mënyra të thjeshta për reklamimin. Ja për shembull ne të dy po komunikojmë sot përmes internetit si të ishim në kafen e fshatit dhe ti nuk e di nëse unë tani ndodhem në Tiranë, Bari, Romë, Tel Aviv apo në Cortina, mes maleve italiane. Vetë fotot dhe shkrimet që ti publikon nga zona janë një nxitje e mirë për të ardhur dhe vizituar ato zona dhe nuk duhet të lodhesh duke e bërë këtë gjë. Një ditë rezultatet do të vijnë e mirditorët do të të jenë mirënjohës.

Faleminderit!

 

Add comment


Security code
Refresh