| Kisha monumentale e Shelbuemit të Rubikut,tempull i shenjte i kultures sone kombetare |
|
|
|
| MONUMENTE | ||||
| Written by Gjergj Marku | ||||
| Wednesday, 07 July 2010 09:43 | ||||
|
Bashkia e qytetit ka ndërhyrë në ndriçimin e rrugës, ndërsa nga misionarja austriake Marianne Graf, është financuar për Udhën e Kryqit dhe për disa restaurime në pjesët e brendshme si dhe vënin e një obelisku, mishërim i simbolit të bashkëjetesës ndërfetare. Ndryshe nga Elbasani a rajone të tjera, ku simbolet fetare kanë sjellë ngatërresa ndërfetare, këtu në majë të shkëmbit që kundrohet kilometra të tërë larg, edhe pse ka një popullsi homogjenikisht katolike, eshte vendosur ky obelisk multifetar, i qarkuar nga drita të shumta e të shumëllojshme, që në darkë i jep një pamje madhështore tërë këtij vendi. Shkrepi i Rubikut
…Shkrepi i Rubikut asht shumë i madh dhe duket si t’ishte vendue prej ndonji vigani në nji nga luginat ma të bukurat e botës. Kjo dorë vigani, duket si ta kishte sheshue ma parë vendin dhe si t’i kishte largue malet penguese njenin nga tjetri tue përbamë në këtë mënyrë një luginë të vogël me nji kunorë malesh rreth e përqark. Në mes kësaj lugine ngrihet shkrepi kolosal në vetmi, me pamje të madhnueshme. Erdhën pastaj njerëzit, panë se atje ishte nji vend i bukur banimi, dhe themeluen mbi shkrep shtëpinë e vet të thjeshtë. Atje nalt jetuen e vdiqën brez pas brezi. Ma vonë erdhi një popull pushtues, thadroj në majë të shkrepit shejet e veta pushtimi me shqipet fitimtare të legjioneve ushtarake, bani forcime të ndryshme, themeloi mure vigane me pirgje e frengji, në atë mënyrë sa mali u ba nji fortesë romake e papushtueshme. Por dhe vetë madhnia e Romës ra dhe u shkatërrue. Muret u rrëzuan dhe njerëzit u zhdukën. Rubiku ngeli si andërr, ngeli i harruem nga të gjithë, deri sa pej viseve të largta erdhën disa njerëz të përshpirtshëm pa pushkë e pa top, kjo çerdhe u pëlqeu atyne. Mbi rrënimet e bamuna nga kamba pushtuese ngritën përmes lutjeve që i naltojshin Perendisë, nji Kishë e nji Kuvend. Pastruen dhe rregulluen pyllin, e dlirën nga gjaja e egër dhe e rrezikshme; livadhe dhe ara bleruan nga duert e tyre kujdestare dhe vunë rreth e qark shumë bimë të bukura e të dobishme. Këso dore qe Abacia e Benediktinëve të Rubikut. Kaluan me qinda e qinda vjet. Mbas zhgunit të zi erdh zhguni i murrmë: Benediktinët u zëvëndësuan prej Françeskanëve. Këta tue ndjek gojëdhënat e të parëve të vet, u përpoqën, vuejtën, u salvuen për të mirën e të mbarën e popullit të Shqipnisë. Prap kapërcyen qinda e qinda vjetësh, deri sa erdhi ora e zezë për tokën dhe popullin shqiptar. Ushtri turke i përkshkuen viset shqiptare, tue plackit, tue rrëmbye, tue mbyt, tue shkatërrue e tue zezue. Prap vendi i qetë i Rubikut u ba menjëherë nji grumbull rrënimesh. Vetëm kisha ngeli e papërkitun. Përsëri kaluen katërqind vjet dhe prap në Rubik gjindet një murg, i cili mundohet e përpiqet me ngjallë nji jetë të re mbi ato rrënoja….
Ndue Dedaj, studiues, në librin e tij “Toka e katedraleve” na çon në historinë e largët të këtij kuvendi në një version mitologjik grek.. Me këtë kishë duket se është i lidhur pazgjidhshmërisht dhe emri i Rubikut vetë, një qytet i vogël verilindor sot. Sipas mitologjisë greke hyjnia Robigo ka qenë hyjnia që personifikonte ndryshkun, një sëmundje që prekte drithërat. Për nder të saj në këto anë bëheshin dhe festa, ku njerëzit i luteshin asaj që ta largonte ndryshkun nga drithërat. Në ato festa që ishin themeluar nga Numa Pompili e që organizoheshin me 25 prill, hyjnisë i thershin një buçë të kuqe, një dele dhe i blatonin verë. Mirëpo këtë perendi në Rubik duhet ta ketë sjellë jo ndryshku i drithërave, po ai i tokës që ishte për shkak të mineralit të bakrit. Shpesh ujërat e tij acide i thanin bimët që në rrënjë. Kështu mund të ketë mbetur në këtë vend emri hyjnor Rubik, ashtu sic ekziston dhe ndonjë version tjetër. Por nëse në Rubik nuk qe ulur ndonjë hyjneshë e bukur e ndryshkut, nuk pati ndodhur e njëjta gjë me shenjtorët e dishepujt e tyre, që patën themeluar në hershmëri një nga tempujt me të njohur të Krishtërimit në Shqipëri. Vetëm një çudi do të kishte mbase në kishën qindravjeçare të Shëlbuemit në fillim të këtij shekulli nuk do të lejohej ta vizitonte atë mbretëresha e pakurorëzuar e shqiptarëve, Miss Edit Durham, që vinte me kalin e saj të lodhur brigjeve të Fanit. Por kjo grua fisnike nuk do të jetë zemëruar nga ky fakt duke e njohur jetën e rregulltarëve. Objekt i saj me siguri duhet të ketë qenë vëzhgimi nga afër i njërit prej monumenteve më të famshëm të kultit dhe të kulturës mesjetare dhe Rubiku ka qenë njëri nga të katër kuvendet benidiktine të Mirditës. Rëndësia historike dhe arkitekturore Pikërisht vendosur mbi këtë shkrep të bardhë të Rubikut, këtu dallohej një kompleks kishtar modern me kishën, qelën famullitare, kolegjin, kumbanoren, rezidencën verore si dhe jo pak mjedise të tjera, ndërtuar me një arkitekturë të rrallë, me paraqitje të brendshme grafike artistike (afreskët). Objektet janë restauruar shpesh herë. Kompleksi kishtar ishte vendosur në një ballkon natyror, gjithë shkallë e rrugina të gdhendura e të latuara nga dora e njeriut në masivin dekorativ të Gurit të bardhë. Në tërësinë e vet, një vepër arti unikale, një pikë turistike e preferuar dhe mbi të gjitha një monument kulture i veçantë. Aty ka shkruajtur papushim Gjeçovi shkencëtar, i cili në njërin nga gurët poshtë kishës ka gdhendur emrin e tij; aty ka rrjedhur muza e Fishtës poet, janë mbushur fletët e ditarit historik të At Pal Dodaj, famullitari austriak Franz Barcata do të hidhte shënimet e tij për 10 vite në ditarin e tij të rrallë, apo do të nxirrte nga duart e tij punime të papërsëritshme Leon Kabashi, piktor. Aty do të pritej me madhështi Prend Doçi pas kthimit nga mërgatat e gjatë politike në vitin 1888. Nisur nga stili i ndërtimit është thënë se kisha i përket shekullit të XII, ku Ipen, përcakton vitin 1272. Dedaj thotë se historianët, nëpër ravgimet e mesjetës, i kanë mbledhur me mundim, gjurmë-gjurmë, dëshmitë historike mbi vjetërsinë e Rubikut kishtar, fillimisht kuvendin benediktin të njohur me emrin “sankti Salvatoris Arbanensis”, i cili me këtë emër paraqitet për herë të parë në një dokument të datës 19 qershor 1166. Që kuvendi ka qenë në fillim i Benediktinëve, studiuesit e lidhin dhe me përmendjen aty të inocentit Abat, emërtim ky që është karakteristik vetëm për benediktinët e jo për françeskanët apo për domenikanët. Françeskanët e marrin më vonë në zotërim, aty ku sot është kuvendi dhe kisha e tyre (S. Salvatoris e Shelbuesit), mund të thuhet që nga shekulli XV, citohet F. Cordignano. Historiani i krishtërimit ndër shqiptarë, Zef Mirdita, citon pastaj Th. Ippen-in dhe M. Shuflay-n në përshkrimin e afreskëve të përmendura të kësaj kishe: “Kisha ka qenë pikturuar me freska dhe me citate nga Besëlidhjë e Re dhe me emrat e shenjtërve të pikturuar, ndër të cilët është dhe emri i Shën Astit, ipeshkvit dhe martirit të Durrësit, por ka dhe dëshmi të kulturës bizantine, gjegjësisht monedha me shkrim bizantin.” Farlati nga ana e tij njofton se “S. Salvator de Rebico” është famulli e thjeshtë në shekullin XVII, çka është e kuptueshme me rrënimin që pësoi kisha katolike në Shqipëri gjatë dyndjeve islamizuese të Turqisë. Kuvendi i Rubikut u ripërtëri në vitin 1898, i njohur si Kuvend i Noviciatit. Me emrin dhe veprën e prelatëve të përvutë e zëmëdhenjt françeskanë është i lidhur çdo ndryshim dhe progres në historinë e këtij vendi sa të lakmuar për pozitën gjeografike dhe prirjen e njerëzve për qytetërim, aq të vështirë për ta kryer këtë mision për shkak të varfërisë, luftërave etj. Si kishë historike, Shëlbuemi i Rubikut, gjithnjë kishte mbajtur në trup dhe absidë gjurmët e moshës së vet të hershme, mbishkrime në mure apo kumbonë, datime të ngjarjeve që lidheshin me të. Kishin mbërritur këto gjer te At Fabian Barcata. Ai i tërheq vëmendjen vizitorit, K. Shteinmetz, te viti 1472, në absidën e kapeles së stolisur me afreske tepër të rëndësishme të kishës së Rubikut, një monument madhor i mesjetës shqiptare. Ka qenë gdhendur në një gurë të Rubikut gjithashtu dhe një mbishkrim i At Shtjefen Gjeçovit në fillim të shekullit XX, kur ai mblodhi doke dhe shkroi një vepër letrare. Rubiku vazhdonte të mblidhte figura të njohura të kishës dhe kulturës. At Gjergj Fishta do të ndërtonte Absidën e kishës dhe do të shkruante fragmente të tragjedisë së tij “Juda Makabe”. Shërbeu në Shelbuem të Rubikut gjer në fundin e tij tronditës dijetari i madh françeskan, etnologu dhe folkloristi At Bernardin Palaj. Po dhe piktori At Leon Kabashi deri në 1967, i cili me art kishte pikturuar kapelet e Shkodrës. Nga Rubiku doli një nga poetët e parë të Rilindjes, prifti i kultivuar, trim e atdhetar Imzot Prend Doçi, që u nis për udhë të gjatë nëpër botë, po bëri abacinë e Oroshit. Doçi është modeli i shqiptarit që e ngjiti qytetërimin në male. Në lartësitë e Malit të Shenjtë e gjeti Edit Durham dhe i bëri një portret brilant më të fisëm se të lordëve të Anglisë. Nga kjo Luginë e Fanit doli dhe Pashko Vasa, bashkë me formulën e tij unikale të shqiptarisë “Feja e shqiptarit asht shqiptaria”, për t’i rrëfyer botës të vërtetën mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, për të qenë diku larg dheut të tij dhe diplomat e guvernator. Por dhe shumë intelektualë të ditur të kohëve të reja, profesorë, inxhinierë, specialistë të fushave të ndryshme etj. Shëlbuemi zëmadh i Rubikut, prej nëntëqindvjetësh i dokumentuar, ishte tempulli i vëllezërve të vegjël të Shën Françeskut, që besohet të ketë shkelur në Lezhë (1221) për të mbjellë pishën që do të njihej me emrin e tij. Afresket, pikturat murale, do të mbanin gjurmët e një arti të madh mesjetar. Në kreshtën e naltë të shkrepit të bardhë, rrinte kalaja e Judejve, që në popull njihej si e gjodhive.
Në këtë kuvend historitë janë të pafundme, shumë janë shkruar e shumë prej tyre qarkullojnë si gojëdhëna. Një nga ato të fiksuara në një ditar lidhet me Mbretin e ardhshëm të shqiptarëve Ahmet Zogu, dhe pikërisht me njërin prej fretërve të këtij kuvendi, At Pal Dodajn, autor i një Ditari Historik me vlera të spikatura. Ushtria austro-hungareze me 1916 kërkon të internojë nipin e Esad Pashë Toptanit, Ahmetin e ri. Duke mos patur tjetër shpresë, nëna e tij i çon fjalë pader Palit, që asokohe ishte superior i Kuvendit Françeskan të Rubikut, ta ndihmonte, dhe ky menjëherë vete dhe e merr në Burgajet të Matit për ta strehuar në këtë vend të Rubikut. Kështu për dy javë Mbreti i ardhshëm i shqiptarëve do të vazhdonte të ishte “xhakon” në seminarin mbi shkrep të bardhë, duke qenë i pari dhe i vetmi “seminarist” i besimit mysliman, që do ta kapërcente pragun e atij Kuvendi. Idhëtia e kësaj historie vjen 11 vjet më vonë kur rasti do ta sillte që pader Pali të hynte në burgun e Mbretit. I dëshpëruar, në Ditarin e tij, me 1925, do të shkruante se “kurrë nuk ia kishte marrë mendja se do t’ia shpërblente kështu “seminaristi” i tij i dikurshëm. Kishte qenë një ndërhyrje e menjëhershme e Nënës së Zogut që Frati të linte qelinë e Mbretit, që jo vetëm e kishte pas shpëtuar nga internimi, por ia kishte rregulluar punën që të vazhdonte studimet në Austri.
Në vitin 1967 me dëbimin e franceskanit të fundit At Leon Kabashi u shua një nga tempujt historikë më të moçëm të Shqipërisë. Në fasadën e kinemasë ku shfaqeshin përgjithësisht filma rusë me “realizëm” u vendos një pankartë karikaturë ku stigmatizohej kisha dhe feja. Dalëngadalë u shkatërrua gjithcka arkivi, biblioteka, pikturat murale aq të përmendura, reliket. Mbeti në këmbë vetëm godina e kishës që erdhi duke u degraduar me kalimin e viteve. Kumbona me mbishkrimin “Popullit fisnik të Rubikut. 1932”, u përdor si çangë për të mbledhur punëtorët e uzinës. Bashkë me godinat e kishës, rezidencës, kuvendit dhe mjedisi i jashtëm aq harmonik e funksional, i gdhendur në cdo cep; hyrje-daljet si të një kështjelle, ballkoni veror, kumbanorja prej guri në majë, deri bodrumet e qelës, që përbënin një kat gjysëm të nëndheshmë, u degraduan dhe shkatërruan. Duhet nderhyre per ta mbajtur ne gjendje te mire kete tempull te shenjte te kultures tone kombetare,i cili tashme me kalimin e autostrades se re bri lumit Fan,eshte bere nje nga vendet me joshese per tu vizituar kesaj lugine nga vizitore vendas dhe te huaj.
|