| SKURAJ, dikur plazhi i trupit diplomatik |
|
|
|
| MONUMENTE | ||
| Written by Mirdita Turistike | ||
| Sunday, 11 July 2010 13:45 | ||
|
Ky është Skurajt, një fshat piktoresk që gjendet në veri të Milotit përgjatë lumit Mat me vendosjen e tij në gjirin e maleve më piktoreske që mund të përfytyrosh, luginës me të njëjtin emër. Shtëpitë kulla karakteristike janë vendosur kodër më kodër për anash luginës në malet e larta që ngrihen herë pingultazi e herë zbuturazi si kodrina, për të ardhur në zemër të fshatit, banuar në të dyja anët e lumit Mat e për të vijuar përgjatë luginës. Lumi Mat, që e ndan fshatin mes për mes, (bëzajtja njëri-tjetrit, nga kulla në kullë, shoqërohet me jehonën kthyese), është ndër lumenjtë më karakteristikë të viseve të Veriut. Edhe pse buron shumë larg, duket se “burimin real” e ka tek turbinat e hidrocentralit të Shkopetit, prej nga ku del me shkumbëzim dhe një porcion të caktuar dhe të njëjtë për çdo ditë e stinë. Kthjelltësia si këtu, madje edhe kur ka rreshje, ky turbullohet fare pak. Këto ditë ai është kaq i frekuentuar, aq sa është i kundruar dhe në dimër për bukuritë mahnitëse, për eskursionistët apo për peshkatarët. Tashmë që qershori, më së fundi, ia ka lënë me tepri të dhuruarit e nxehtësisë pikërisht korrikut, pushuesit kanë mësyer këtu si një alternativë e veçantë e përzgjedhur, sidomos për ata që duan më shumë qetësi, më shumë pastërti dhe freski njëherësh. Popullimin e tij e vë re që nga gryka e derdhjes, tek urat e Milotit, e më lart në luginë, pikërisht në Skuraj, ku cilësia rritet në maksimum. Qindra njerëz nën hijet natyrale, të pemëve rrëzë lumit, janë stacionuar për të kaluar pushimet verore. Mëgjithëse një ditë e zakonshme jave sërish bregu i lumit ka frekuentues të moshave të ndryshme dhe nga vende të ndryshme. Vijnë këtu nga Laçi, Miloti, Mirdita, Lezha, Tirana, Durrësi apo gjetkë. Të shtunave e të dielave, thotë një pushues, këtu mbushet, me qindra e qindra makina me njerëz. Një pushues që ka marrë dhe të tre fëmijët me vete, thotë se gjithçka më pëlqen këtu, mbi të gjitha jam i sigurtë për sëmundjet e lëkurës.
Të përshkruash pamjen e Skurajt, me lumin Mat që të fëshfërin tek këmbët orë e çast, duhet kohë dhe fletë të tëra. Vërtetë, gjithçka është si në një përrallë. Një lumë i ndërprerë prej më se 40 vite nga dy diga hidrocentralesh të mëdha, njëra në Ulzën e tejshtrirë dhe tjetra thuasje në fund të luginës kanonike të Shkopetit, që për nga pamja rrallë të ketë të dytë. Që prej digës së dytë të Shkopetit, pas kalimit nëpër ingranazhet-turbina, ku lumi Mat i jep mirësinë e parë njerëzisë-dritën, vjen e gurgullon në mes maleve për të dhuruar mirësinë e dytë, pak më poshtë përgjatë rrjedhjes, pikërisht për ata që ia njohin mirë këtë mrekulli. Zefi, është njëri prej tyre. Ai banon në Laç, ndërsa këtu ka patur kullat e të parëve, Pervizajve të njohur që më parë kohës së Skëndërbeut, deri në shpalljen e pavarësisë, ku njëri prej pinjollëve të kësaj dere, Gjin Pjetri ngriti flamurin që imzot Kaçorri ia dha porosi, në një vith të Milotit më 28 nëntor 1912. Edhe në shenjë të amanetit të parëve, por edhe pse i njeh këto mrekulli të pashoqe, ka dy vite që ai ka hedhur themelet e një kopshti turistik “EDEN”. Me të jemi ulur rrëzë katër rrapeve madhështorë në bregun e lumit aq të kthjellët, një kombinacion brilant që në mes të kësaj zagushie vere, të dhuron freski me aq bollëk. Një drekë e pasur me prodhime thuajse bio, mish keci të rritur aty pari, krap zalli, vezë, djath e verdura fshati dhe vetëm birra, një amstel që vjen prej larg, e shoqërojnë pushuesin e këtij vendi magjisjellës. “Në fakt, çfarë do të donte një turist nga më elitarët e sotëm?!”, vetpyet njëri prej nesh. Gjindet Zefi për të treguar një histori plazhi jo fort të vonë në kohë..
Para viteve ’90, ky vend këtu në Skuraj, rrëfen ai, ka qenë “i pushtuar” nga trupi diplomatik. Që prej urës së Limes e deri rrëzë Shkopetit, shihje makina më mbishkrimin në targa “CD”. Ditët e shtuna e të dielave, 2-3 kilometra të tëra vijë plazhi të fshehur ashtu si dhe lumi nëpër lakadredha zalli, ishin në dispozicion të atyre, diplomatëve perendimorë dhe lindorë. Djem të asaj kohë, që u ka takuar të lahen në këto ujëra të kristalta, tregojnë se ato dy ditë detyroheshin të shkonin gjetiu për t’u kredhur në ujë, më poshtë urës, aty ku cilësohej si plazh më popullorë, bregut të Matit, pasi nuk na linin. Vendi blindohej me roje nga mëngjesi në darkë vonë, deri sa diplomatët dhe familjet e tyre, të strukeshin në makinat hijerënda për të na e lënë sërish “pushtetin” ne mbi këtë plazh për 5 ditët e javës. Kjo gjë ka ndodhur dhe më vonë, pas viteve ’90, por u frenua pas ’97-s, ndërsa duket e kapërcyer tani. Miq të këtij vendi janë shumë prej ambasadorëve edhe të tanishëm. 65 vjeçari Zef Pervizi, pronari i “Eden”, tregon dhe një detaj të fundit me tre ambasadorë, që kishin qenë aty për pushim para tri ditësh; ai rus, bullgar dhe kinez. Pushuan, u lanë, hëngrën mirë e mirë peshk dhe mish të freskët fshati. Ambasadori rus, duke më dhuruar një shishe vodkë dhe një CD me këngë ruse, më tha se ju jetoni në mrekulli që nuk dini t’i shfrytëzoni, ata më kanë ngacmuar dhe ndonjë ide interesante se si mund të bëhet ky vend joshës për turistët.
Po përse ia kishin vënë syrin këtij vendi diplomatët e huaj, pak mundësi kishin të shkonin ata gjithandej viseve të vendit?! Është një pyetje që “merret” shpejt nga çdo njeri që kalon, qoftë dhe fare pak orë aty. Uji i lumit është kaq i kthjellët sa në fund të tij shquan edhe majën e gjilpërës. Gjithashtu dhe i pastër, sipas analizave të bëra, rezulton uji i pijshëm. Në mëngjes e bëjmë një gjë të tillë pa pikën e ndrojtjes, thotë njëri prej pushuesve. Askund nuk derdhën ujëra të zeza dhe mbetje. Shtëpitë e Skurajve janë vendosur shumë lart, bimësia harliset si këtu; lis, shkoza, thana, palma, dëllinja, krifsha, dushqet dhe këtu rrëzë lumit, mbreti i bimësisë freskuese, rrapi. Është vërtetë tipik rrapi këtu. Sipas të dhënave një pemë e tillë, në moshë afro 200 vjeçare, rrëfen njëri nga pushuesit e vjetër, përgjatë natës avullon rreth 200 kg ujë, dhe kjo spjegohet me gjethen tepër të gjëra shpatake dhe të rëndë dhe tejet aspiruese. Ndaj në mëngjes kur vihet këtu gjithë perimetri rrethor i hijes së rrapit është i ujtësuar, për të qëndruar kështu dhe një pjesë të mirë të ditës. Ka dhe nga ata që preferojnë ta kalojnë natën nën hijen e rrapeve. Fauna karakteristike bashkëshoqëron këtë peisazh mahnitës. Mlyshi, nili, mustaku dhe qefulli, mund të bëhen pre e grepit tënd, ashtu si dhe ndonjë patë, që mund të futet luginës, apo gjahu i egër majë malit. Zogjtë janë të shumtë, vend për mushkonjat nuk ka. Nardi dhe Violeta, që kanë ardhur nga Tirana me të dy fëmijët e vegjël, ndërsa shijojnë drekën e shijshme nën hijen freskuese të rrapeve, fëmija e tyre 1 vjeçar, vënë në karrocë buzë lumit shushuritës nanuritet nën simfoninë e ëmbël të qindra gjinkallave, që duket se janë gjithkund rreth teje, por që nuk mund të shquash asnjërën prej tyre. Një peisazh jetësor aq grishës për piktorët.
Binomi turizëm dhe histori, është i njohur si një simbiozë që nuk jeton dot pa njëri tjetrin në botën e madhe dhe të zhvilluar të turizmit botëror, sidomos për vizitorët, turistët dhe pushuesit e vendeve të zhvilluara. “Mund të ngresh në një vend buzë detit grataçela të larta dhe komode…”, mbaj mend që na pati thënë një ciceron në Dubrovnik,- por turisti elitar kërkon shumë më tepër, një vend ku të ketë dhe rekreacionin, por dhe vlerën historike...” Skurajt këtë e ka me tepri, madje. Zefi, mësuesi i dikurshëm i historisë, ua ka rrëfyer historinë e këtij vendi të principatës së famshme edhe ambasadorëve, dhe ata e kanë ndjekur me kërshëri. Ashtu siç kemi dëshirë ta dëgjojmë ne aty nën hijen e rrapeve për orë të tëra, edhe pse ai nuk është ciceron i liçensuar. Ai na rrëfen për rrënojët e kalasë, që gjendet sipër malit në një majë të një shkëmbi të bardhë, që zinte brenda rreth 1000 luftëtarë. E ndërtuar rreth viteve 1270. Për varrin e Pervizit të Madh, për rrënojat e një kishe të vjetër, të përmendur nga Shuflay. Perviz Madhi, një burrë i kamoçëm vendali, ka një histori që i përgjan legjendës nga më të veçantat. Thonë se ai vishej i gjithi me të kuqe, shenjë e simbolit fisnik, dhe nuk dilte kurrë nga kalaja që dominonte krejt kalimet poshtë. Edhe pse ekspeditat ndëshkuese turke kishin tentuar ta merrnin disa herë këtë kala ishin kthyer duarbosh. Vendosën ta merrnin nëpërmjet urisë duke i vënë një rrethim të rreptë. Për etje s’bëhej fjalë, brenda kalasë rridhte një burim uji. Luftëtarëve po u mbaronte ushqimi, ia thanë këtë dhe Pervizit të Madh, komanduesit të tyre. Ai dha urdhër të grumbulloheshin të gjitha ushqimet e mbetura, të mbusheshin grykat e topave me to dhe të qëllohej mbi turqit. Pashaj, prijës i ekspeditës kur shikoi se mbi kokat e ushtarëve të tij binin copa buke dhe djathi, tha: “Po këta paskan bukë e ushqime për t’u tallur me ne!”, dhe e hoqi rrethimin. Më pastaj i dërgoj dhurata e premtime për poste Perviz Madhit, por ai i refuzoi. Me dredhi turqit bëjnë për vete probatinin e komandantit trim, i cili e vrau komandantin legjendar në befasi në pyll kur po gjuanin, për t’i zënë vendin. Trimat e ndoqën dhe e vranë dhe atë, probatinin. Pervizi i Madh kishte lënë porosi që të varrosej aty ku trupi t’i binte përdhe, ashtu u bë. Varri i tij gjendet mes një shkëmbi e një pylli, m’u sipër Skurajve, vetëm më pastaj turqit e morën kalanë. ........ Nëpër historitë e kësaj krahine mund të “udhëtosh” ditë e net, që nga hershmëria e më vonë, tek bëmat e Gjin Pjetrit, apo të gjeneral Prenk Pervizit. Në Lime mendohet të kenë qenë ngulimet e një qyteti të lashtë (1270-1600), kohë dhe kur u shkatërrua. Gjetje ka. Janë ringritur kullat e djegura nga Turgut Pasha, për përkrahësit e Lidhjes së Prizrenit. Më tej historia vijon me udhën e Dritës pas ’44-s, dy hidrocentralet e para shqiptare. Histori dhe turizëm! Një binom i shquajtur tanimë kudo në botën e qytetëruar. Por kur do të kujtohemi për këto?!... Këtë na thotë dhe bashkëshoqëruesi ynë Zefi, i cili, gjithsesi, si për një surprizë thotë se pikërisht këtu tek ky “Eden” i thjeshtë kushëriri i tij Leka, që jeton në Belgjikë, botues i revistës me sens të theksuar shqiptar “Kuq e Zi”, me një sipërmarrje belge ka skicuar projektin e një moteli modern të turizmit elitar. Të tjerë mendohet se do ta pasojnë këtë oaz turistik në portën hyrëse të Veriut të Vendit…
|